Episodi i parë i serialit të shumëpritur shqiptar “Prokurori” (The Prosecutor), i cili u xhirua në Tiranë me pjesëmarrjen e aktorit të njohur hollivudian Danny Glover, do të shfaqet premierë në Cineplexx, në Prishtinë, me datën 12 tetor. Filmi në fjalë është në regji të Fatmir Dogës, me producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, ndërsa subjekti i filmit është zhanri aksion/dramë.
Filmi në fokus ka reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.
E veçanta e “Prokurorit” është pjesëmarrja për herë të parë në një prodhim shqiptar e aktorit të madh hollivudian Danny Glover, i cili njihet nga publiku shqiptar për rolet legjendare në filma si ‘Lethal Weapon’, ‘The Color Purple’, ‘Predator 2’, ‘Saw’, etj. Në serial, Danny Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet reformën në drejtësi dhe ndihmon në realizimin e saj.







