Disa nga emrat më të mëdhenjë të industrisë filmike dhe televizionit u nderuan mbrëmë në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve në Golden Globes 2024.
Komediani Jo Koy ishte prezantues i këtij viti në ceremoninë që u zhvillua në Beverly Hilton në Los Angeles.
Ashtu siç pritej, filmi “Oppenheimer” dhe seriali televiziv “Succession” ishin fituesit kryesor të natës, duke marrë disa prej çmimeve kryesore.
Epiku i regjisorit Christopher Nolan, i cili fitoi çmimin si “Regjisori më i mirë”, “Oppenheimer” u shpërblye me çmimin “Best motion picture” apo “Filmi më i mirë i vitit”, duke mposhtur konkurencën e filmit “Barbie”. Ndërsa filmi më i mirë në kategorinë “Muzikale apo komedi” u shpall “Poor Things” nga Yorgos Lanthimos.
Në konkurencën e meshkujve, çmimin aktori më i mirë i vitit e fitoi Cillian Murphy nga filmi “Oppenheimer” ndërkaq në konkurencën e femrave, fituese ishte Lily Gladstone nga filmi “Killers of the Flower Moon”.
Filmi “Barbie” ishte i nominuar në nëntë kategori, por u kthye duke fituar dy çmime në “Arritjet kinematografike dhe të hyra” dhe “Muzika më e mirë origjinale”.
Kur kalojmë te serialet, “Succession” fitoi çmimin për serialin më të mirë të televizionit (dramë), ndërsa “The Bear” fitoi çmimin për serialin më të mirë të televizionit (muzikal ose komedi). “Beef” fitoi çmimin për serialin më të mirë të kufizuar, serinë antologji ose film të prodhuar për televizion.