Tashmë në Prishtinë ka filluar edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘Prishtina International Film Festival’. Këtë vit ky festival, ka mbledhur regjisorë dhe aktorë nga gjithë bota që do të shfaqin filmat e tyre.
Sonte në natën e tretë të festivalit do të shfaqen 4 premiera botërore.
Regjisori Korab Lecaj, nga ora 18:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të shfaq për herë të parë filmin e tij ‘Klithma’.
Lidhur me këtë film, Radio KFOR-i pati rastin që të marr një prononcim nga regjisori Korab Lecaj, i cili tha se shfaqja e filmit “Klithma” ka një domethënie të veçantë për të, për shkak të trajtimit të temës:
“Filmi ‘Klithma’, ka një fuqi të madhe si rrëfim për faktin se është i inspiruar nga ngjarje e vërtetë. Kam pas fat që në ekip kam pasur aktor profesionistë, si Hazirin, Arjolen, Arbneshën e Albanin, të cilët janë shtyllë e këtij filmi, sidomos Haziri i cili luan rolin qëndror, personazhin e Dinit. Përmes gjërave të vogla në film, trajtojmë një temë të madhe që është ende tabu te ne”, thotë Lecaj.
Ndërsa, producenti i filmit ‘Klithma’, Besar Zahiti, për Radio KFOR-in tregoi po ashtu, se ka bërë një punë të mrekullueshme në realizimin e filmit, i cili e vlerësoi këtë projekt si shumë profesional:
“Koncepti regjisorial dhe shkrimi i skenarit janë punuar në një frymë shumë profesionale dhe besoj se kemi realizuar diçka të bukur”, tha producenti Zahiti.
Festivali do të zgjasë deri me datën 22 korrik dhe këtë vit mysafire speciale do të jetë fituesja e çmimit ‘Ocsar’, Vanessa Redgrave.