Viti i Ri, është çdoherë një mundësi për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të bërë ndryshime në jetën tonë. Nëse dëshironi të filloni vitin me energji të mirë dhe të kurseni para, Radio KFOR-i ju sjell sot disa këshilla praktike, që do t’ju ndihmojnë të vendosni bazat për një vit të suksesshëm.
– Vendosni qëllime, bëjeni një listë të qëllimeve që doni t’i arrini përgjatë këtij viti, duke u fokusuar tek objektivat specifike, duke vendosur edhe afate kohore të përmbushjes së tyre.
– Reflektoni, analizoni vitin që keni lënë pas dhe shikoni se çfarë funksionoi dhe çfarë nuk shkoi ashtu siç e prisnit dhe reflektoni që në Vitin e Ri, të jeni të përgatitur.
– Krijoni rutina të reja, fillimi i vitit është koha ideale për të ndërtuar zakone të shëndetshme, si ushtrimi i rregullt, leximi ose kalimi i kohës me familjen dhe patjetër kujdesuni për mirëqenien mendore dhe emocionale.
– Kursimi i parave patjetër që duhet të jetë në listën e prioriteteve tona. Prandaj, që ky vit të jetë i kënaqshëm për ju edhe në aspektin financiar, bëni një plan financiar duke krijuar një buxhet mujor, ku përfshihen të ardhurat dhe shpenzimet, identifikoni se në çka mund të reduktoni shpenzimet, vendosni prioritete. Fokusoni shpenzimet tek nevojat kryesore, siç janë ushqimi, shpenzimet komunale, qiraja dhe shmangni shpenzimet për gjëra të panevojshme. Mos harroni që një fillim i ri është një mundësi për të vendosur zakone të shëndetshme dhe për të ndërtuar një të ardhme financiare më të qëndrueshme. Kujtojani vetes, që ju vet, mund ta bëni një vit të jetë i bukur, duke kujtuar rregullin e artë, se ‘ndryshimet e vogla bëjnë diferencën’.







