Edicioni i 12-të i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga data 20 deri më 22 nëntor 2025, në Prishtinë. Ky festival edhe sivjet pritet të bëjë bashkë artistë të afirmuar dhe të rinj nga skena bashkëkohore e Beogradit dhe Prishtinës, me synimin krijimin e një hapësire të përbashkët dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
I themeluar në vitin 2014, festivali organizohet nga YIHR (Serbi), Integra (Kosovë) dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), duke u mbajtur çdo vit në njërën prej dy kryeqyteteve në fjalë.
Programi i këtij edicioni do të përfshijë performanca muzikore, debate, ekspozita, mbrëmje poetike dhe shfaqje filmash, duke ofruar një përvojë të pasur kulturore për publikun.
Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për të gjithë.
Festivali mbështetet nga National Endowment for Democracy, Bashkimi Evropian, Rockefeller Brothers Fund, Pro Peace Kosovë dhe Qendra Barabar.







