‘Organizata Ndërkombëtare e Filmave të Animuar’, që nga viti 2002, çdo 28 tetor, shënon ‘Ditën Botërore të Animacionit’, për të nderuar shpikjen e animacionit, art ky që për herë të parë u projektua në vitin 1892, në teatrin ‘Optique’, të Parisit.
Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i morri një prononcim nga drejtoresha e festivalit të animacionit ‘Anibar’, Arba Hatashi, e cila tha: “Kjo ditë është organizuar nga ‘Asociacioni Ndërkombëtar i Filmave të Animuar’, ndërsa ne kemi vendosur që ta festojmë me aktivitete të ndryshme në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, në Pejë. Qëllimi i festimit të kësaj dite në këtë kinema, është sepse pikërisht nga këtu ka filluar edhe rrugëtimi i festivalit të animacionit ‘Anibar’, i cili është i vetmi në Kosovë, që nga viti 2010. Qëllimi i kësaj dite, është që t’ju kujtojmë të gjithëve nëpërmjet disa aktiviteteve rëndësinë e animacionit, ku në fokus është audienca e animacionit në Kosovë, meqë këtu ka shumë persona të talentuar të cilët kanë fituar edhe çmime të ndryshme ballkanike në këtë fushë.”
Tutje znj. Hatashi, vlerësoi punën e shumë talentëve nga Kosova, të cilët përmes punës së tyre të mrekullueshme po tregohen të suksesshëm në gjithë botën, po ashtu po vlerësohen edhe me pjesëmarrje në festivale të ndryshme dhe këtë ditë, ajo tregoi se ka dëshirë ta kremtoj me shfaqje të ndryshme të filmave të animuar, në mënyrë që ta mbledhë këtë komunitet dhe të festojnë së bashku me ta.