Emogji-t përdoren çdo ditë në mesazhe, rrjete sociale dhe platforma të ndryshme digjitale për të shprehur emocione, ide dhe reagime në një mënyrë të shpejtë, të thjeshtë dhe universale. Çdo vit më 17 korrik, miliona njerëz në mbarë botën shënojnë ‘Ditën Botërore të Emogji-ve’, kushtuar simboleve të vogla grafike që janë bërë pjesë e pandashme e komunikimit të përditshëm.
Kjo ditë u themelua në vitin 2014 nga Jeremy Burge, krijues i Emojipedia-s dhe data 17 korrik nuk është zgjedhur rastësisht, ajo shfaqet në ikonën e kalendarit në shumë pajisje dhe platforma digjitale, duke u bërë simbol i kësaj feste globale. Me kalimin e viteve, emoji-t kanë evoluar vazhdimisht, duke përfshirë simbole që pasqyrojnë më mirë diversitetin kulturor, profesionet, aktivitetet dhe identitetet e ndryshme të njerëzve në mbarë botën.
Me rastin e ‘Ditës Botërore të Emogji-ve’, kompani të shumta teknologjike prezantojnë emoji të reja, ndërsa përdoruesit ndajnë në rrjetet sociale simbolet e tyre të preferuara. Kjo ditë është shndërruar në një festë globale të gjuhës moderne digjitale dhe të mënyrës se si komunikojmë në epokën e teknologjisë.







