Përveç misionit të rëndësishëm paqeruajtës në Kosovë, KFOR-i organizon shpesh aktivitete argëtuese për fëmijët, duke u dhënë atyre mundësinë të njihen nga afër me ushtarët që kujdesen për sigurinë e tyre. Të premten, më 17 tetor 2025, Kampi Bondsteel ishte nikoqir i fëmijëve nga shkolla English Language Corner. Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të njihen me disa nga njësitë kryesore të kampit, përfshirë departamentin e zjarrfikësve, stacionin e policisë ushtarake, spitalin ushtarak si dhe performancën e njësit K9.
Në një intervistë për Radio KFOR, 1LT Norris Flanigan, komandant i njësisë K18, theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve: “Mendojmë se është shumë e rëndësishme t’u afrohemi fëmijëve, t’i bashkojmë dhe t’u tregojmë që kujdesemi për ta. Besoj fuqishëm që fëmijët janë e ardhmja dhe fillimi i ri i Kosovës. Duke i treguar marrëdhënien që kemi me KFOR-in, kjo është një mënyrë e mirë për t’u bërë e qartë se ne jemi këtu për të qëndruar së bashku si një popull dhe gjithmonë do të jemi pranë tyre. Pavarësisht nga vendi ku jetoni apo kush jeni, ne qëndrojmë pranë jush për ta mbajtur Kosovën të sigurt dhe të qëndrueshme. Le të qëndrojmë të qetë, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme paqësore.”
Ndërsa, 2LT Arianna Torres, shefe e Bashkëpunimit Civil-Militar (Civil Military Cooperation Chief), në mesazhin e saj përshkroi kështu:
“Ne jemi këtu për paqe, për të gjithë, pa marrë parasysh se ku jetoni apo kush jeni. Qëndrojmë pranë jush për ta mbajtur Kosovën të sigurt dhe të qëndrueshme. Le të qëndrojmë të qetë, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme paqësore. Ngjarje si kjo tregojnë përkushtimin e KFOR-it ndaj sigurisë, si brenda kampit, ashtu edhe jashtë tij.”
Fëmijët u shprehën të gëzuar për mundësinë e vizitës dhe falënderuan KFOR-in për këtë eksperiencë:
“Unë jam Zana Kastrati, nga shkolla English Language Corner. Sot kaluam shumë mirë dhe ishte kënaqësi të shohim ushtarët dhe pajisjet e tyre. Faleminderit KFOR-it që kujdeset për sigurinë tonë.”
Ndërkaq, Liron Klaiqi shtoi: “Dua të falënderoj KFOR-in që na dhanë mundësinë të shohim nga afër pajisjet dhe aktivitetet e tyre. Kur të rritem dua të bëhem ushtar, për të ndihmuar njerëzit dhe për të sjellë paqe.”
Profesoresha e gjuhës angleze dhe udhëheqësja e English Language Corner, Donjetë Latifaj, rrëfeu për organizimin e vizitës: “Unë kam takuar ekipin e KFOR-it në Kamenicë, ku edhe ata kanë bërë vizita te këndi ynë dhe i kanë takuar nxënësit. Besoj që të dy palët i kanë lënë mbresa të mira njëri-tjetrit. Më pas, ne kemi bërë kërkesë për vizitë në kampin Bondsteel, të cilën ata e miratuan dhe jemi shumë mirënjohës për këtë mundësi. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme, pasi nxënësit jo vetëm që panë çfarë bëjnë ushtarët, por mësuan edhe për departamentet e ndryshme, si zjarrfikësit, mjekësinë dhe policinë ushtarake. Përgjithësisht kjo eksperiencë u ofroi nxënësve një përvojë të paharrueshme dhe njohuri që nuk fitohen lehtë.”
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KFOR-it për të promovuar paqe, siguri dhe bashkëjetesën në Kosovë. Krahas detyrave të tij për të ruajtur një ambient të sigurt dhe të qetë, KFOR-i investon edhe në ndërtimin e marrëdhënieve të forta me komunitetin lokal përmes aktiviteteve edukative dhe kulturore, sikurse kjo vizitë. Ngjarja u përmbyll me momente të këndshme, ku fëmijët shijuan ushqim, pije dhe lojëra, duke ndarë buzëqeshje dhe përvoja me ushtarët ndërkombëtarë.







