Çdo vit më 1 qershor, shënohet “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve”, një festë e veçantë kjo për të nderuar fëmijët, për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të rikujtuar që fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja jonë. “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve” është vendosur që të kremtohet më 1 qershor, pas Konferencës Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve që u mbajt në Gjenevë, në vitin 1925. Në këtë ditë, në mbarë globin organizohen aktivitete të shumta përmes së cilave festohet dhe promovohen të drejtat e fëmijëve si dhe kërkohet mbrojtje, arsim dhe mirëqenie për çdo fëmijë, pavarësisht racës, gjinisë apo prejardhjes. Prandaj, “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve” krahas së qenit festë, është edhe një thirrje për reflektim dhe angazhim mbarë global. Të gjithë ne, si prindër, mësues, institucione apo si shoqëri, kemi përgjegjësi për të ndërtuar një botë më të mirë për fëmijët tanë, për t’ju ofruar atyre më shumë dashuri, më shumë siguri, më shumë mundësi për të ëndërruar dhe për ti realizuar ëndrrat e tyre.







