Krahas misionit paqeruajtës që ka KFOR-i në Kosovë, në prag të festave të fundvitit Ekipi Monitorues për Mbikëqyrje (LMT) i KFOR-it, sot me 21 dhjetor, ka menduar të gëzojë edhe fëmijët e SOS Fshatit në Prishtinë. Këto aktivitete argëtuese për fëmijë u mbajtën në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, ku trupat paqeruajtëse u ofruan fëmijëve lojëra, muzikë dhe aktivitete të tjera zbavitëse për fëmijë.
Me këtë rast, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me përgjegjësin në sektorin ‘bravo’ në njësitin LMT, rreshterin, Davide Siciliano, i cili bashkë me ekipin e tij organizuan këtë aktivitet:
“Fëmijët duken shumë të kënaqur sot në këtë aktivitet. Kemi organizuar disa lojëra, vizatime, aktivitete dhe dhurata për ta. Pas një takimi që kishim me drejtoreshën e SOS Fshatit, ne vendosëm ta organizojmë këtë aktivitet që përfshin 30 fëmijë nga SOS Fshati. Qëllimi ynë është që të krijojmë ura lidhëse në mes të qytetarëve dhe KFOR-it.”
Falënderuese dhe shumë e kënaqur për organizimin e këtij aktiviteti u shpreh edhe Drejtoresha e programit në Fshatin SOS në Prishtinë, znj. Ora Bytyçi, e cila tha se aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për fëmijët:
“Çdo organizim që organizohet jashtë SOS Fshatit, është shumë i rëndësishëm për fëmijët, sepse këta fëmijë janë fëmijë që kanë humbur kujdesin prindëror për një arsye apo tjetër dhe familja e tyre jemi ne, SOS Fshati. Prandaj, ata sot po kënaqen sepse po takohen me ushtarët e KFOR-it dhe ata po e shijojnë shumë këtë ditë. Falënderojmë KFOR-in dhe mirëpresim të gjithë ata njerëz me zemër të madhe që dëshirojnë të kontribuojnë në gëzimin e këtyre fëmijëve, që edhe ata ti gëzohen festave të fundvitit. Mesazhi im është që ta duam dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin.”
Pa dyshim që gëzimin më të madh sot, e shprehnin fytyrat e lumtura të fëmijëve, të cilët ishin të përfshirë në aktivitete të ndryshme. Fëmija A.M. nga SOS Fshati tha se ndihet shumë mirë dhe falënderoi KFOR-in për këtë organizim: “Është kënaqësi sepse është hera e parë që jemi në KFOR dhe po kënaqemi shumë me të gjitha aktivitetet. Urime festat e fundvitit dhe uroj që viti i ardhshëm të jetë edhe më i mirë dhe të ju ketë shërbyer si mësim edhe për gabimet që mund të keni bërë dhe vitin e ardhshëm të mos i përsërisni ato.”
Ky aktivitet edhe njëherë dëshmon përkushtimin e KFOR-it, jo vetëm në misionin parësor që bart, atë të sigurisë dhe paqes në vend por edhe të kujdesit dhe përmirësimit të mirëqenies së të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.







