Në rutinën e jetës, punës dhe obligimeve ditore, njerëzit nuk arrijnë të kalojnë kohë të mjaftueshme me familjet e tyre. Me mesazhin kryesor të unitetit dhe dashurisë, çdo vit me 1 janar, shënohet ‘Dita Globale e Familjes’. Në këtë ditë, bëhet thirrje për të kaluar kohë cilësore me anëtarët e familjes dhe gjithashtu shënohet edhe në aspektin që bota është një familje globale, pavarësisht përkatësisë etnike, ngjyrës dhe dallimeve tona.
Inicimi i kësaj dite filloi në vitin 1997, kur ‘Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara’, filloi ‘Dekadën Ndërkombëtare për Paqen Kundër Dhunës për Fëmijët e Botës’. Aktivistja e paqes, Linda Grover, ishte një figurë kryesore në promovimin e kësaj nisme në Amerikë, duke publikuar librin e saj ‘One day in Peace’, që fliste për një të ardhme ku do të ketë vetëm paqe dhe jo luftë.
Komunikimi i mirë përmes takimeve familjare si dhe puna së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta, janë mënyra se si anëtarët e familjes mund të forcojnë lidhjet dhe të promovojnë paqen edhe në komunitetet e tyre. Në ditën e parë të vitit, kjo ditë shërben edhe për të nisur një vit të mbarë me paqe, unitet dhe harmoni në mes të njerëzve.