Çdo nëntor, në mbarë botën shënohet “Muaji i Ndërgjegjësimit për Birësimin e Fëmijëve”, një periudhë e veçantë për të reflektuar mbi rëndësinë e dashurisë, familjes dhe mundësive të reja që lindin përmes birësimit. Ky muaj synon të rrisë ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi nevojën për t’u dhënë fëmijëve jetimë ose pa kujdes prindëror, mundësinë për të gjetur një shtëpi të ngrohtë dhe një familje që i do.
Birësimi nuk është vetëm një akt ligjor, është një gjest njerëzor, një histori dashurie që ndryshon jetën e një fëmije përgjithmonë, mirëpo edhe jetën e prindërve që i adoptojnë ata. Gjatë këtij muaji, organizata, institucione dhe komunitete organizojnë aktivitete sensibilizuese, takime informuese dhe fushata që synojnë të inkurajojnë më shumë familje të hapin zemrën dhe shtëpinë e tyre.
Në këtë muaj kujtojmë se çdo fëmijë meriton një fillim të ri, një vend ku të ndihet i sigurt, i dashur dhe i pranuar. Duke mbështetur birësimin, ne kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për gjeneratat që vijnë. Le të jetë muaji nëntor një kujtesë për të gjithë, ku dashuria krijon familje dhe secili prej nesh mund të bëhet pjesë e kësaj historie të bukur njerëzore.







