Përfaqësuesja e Aksionit Humanitar për Nëna dhe Fëmijë, Erisa Jakupi, ishte mysafire e radhës në kuadër të emisionit të pasdites “Macchiato Lounge”, në Radio KFOR, te moderatorja, Vjosa Spahiu.
Fillimisht Erisa tregoi se Aksioni Humanitar për Nëna dhe Fëmijë, u krijua në vitin 2009, ndërsa në vitin 2013 u krijua fondacioni me emrin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.”
Gjatë bisedës në studio, Anisa tregoi se për t’i dalë në ndihmë nënave dhe fëmijëve me medikamente dhe pajisje të nevojshme janë organizuar aktivitete të ndryshme humanitare, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, si në Amerikë dhe Zvicër. Ndër sukseset e shumta, Anisa veçoi edhe hapjen e 10 Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas, në 9 komuna të ndryshme të Kosovës.
“Në këto qendra ofrohen informacione këshilluese para dhe pas lindjes, kështu që të gjitha nënat e reja që dëshirojnë të jenë pjesë e këtyre klasave munden të jenë pjese e tyre”, tha Erisa.
Në fakt qëllimi i ftesës së Erisës ishte biseda rreth aktivitetit tradicional që tashmë organizohen për të katërtin vit me radhë ‘Let’s Dance 2018’. Një ngjarje e përvitshme që bën mbledhjen e fondeve në shërbim të nënave dhe fëmijëve.
Ky aktivitet do të mbahet nga data 1 Nëntor, në “Sheshin 21”, duke filluar nga ora 20:00, e mesazhi i Erisës për këtë aktivitet ishte ky:
“Kjo ngjarje nuk mund të jetë e mundur pa ndihmesën e juaj dhe të donatorëve. Unë ju ftoj të gjithëve të vini, të kënaqeni dhe njëkohësisht t’i ndihmoni nënat dhe fëmijët.”
Të gjitha fondet e ngritura nga biletat dhe donacionet do të përdoren për nënat dhe fëmijët në Kosovë përmes programeve të Fondacionit Veprimi për Nënat dhe Fëmijët, duke u dhënë fëmijëve një shans për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur.