Ndonëse pandemia po vazhdon të shkaktoj probleme të vazhdueshme, spektri kulturor në Kosovë, po mundohet të frymojë e t’i gjallëroj art dashësit përmes ekspozitave të ndryshme që po i organizon.
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, po vazhdon të qëndroj e hapur ekspozita “GRANDART 1970-2000”, në të cilën të ekspozuara vazhdojnë të jenë 50 vepra të artit pamor nga 27 artistë, nga koleksioni i hotelit “Grand”, në Prishtinë. Këto vepra i përkasin mediumeve të ndryshme, duke u nisur nga pikturat, skulpturat dhe tapiceritë, ku dominon grafika.
Në këtë ekspozitë prezantohet gjenerata e parë e artistëve pamor deri më sot, me fokus vitet e 70-ta, nga ku edhe nis historia e parë e gjeneratës, përderisa numri 50 lidhet me fillimet e krijimtarisë së gjeneratës së parë.
Ndërsa, siç njoftojnë organizatorët, nga data 07 shtator deri më 30 tetor, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artisti i njohur Alban Muja, do të hap ekspozitën e tij, me titull “Whatever Happens, We Will Be Prepared’’, kuruar nga Maria Isserlis.