E kaluara kolektive vazhdon të risjell kujtime të përbashkëta të shoqërisë.
Këtë herë ‘Fondacioni Shtatëmbëdhjetë’, ka organizuar në Prishtinë një ekspozitë që do të hapet nesër (06.09.19) nga ora 19:00 në ambientet e objektit të ish Ramiz Sadikut, pikërisht për të rikujtuar dhe rifunksionalizuar objeketin ‘Ramiz Sadiku’, duke rifreskuar kujtimet që lidhen me këtë objekt.
Përfaqesuesja e ‘Fondacioni Shtatëmbëdhjetë’, Ajete Kërqeli, për Radio KFOR-in tha se përmes artit rikthejmë një pjesë të kujtimeve të përbashkëta të shoqërisë, duke treguar për qëllimin e kësaj ekspozite:
“Të enjtën do të hapet ekspozita ‘Metamorphosis’, që është e realizuar nga 20 të rinj të cilët kanë unuar intenzivisht për të kthyer memorien kolektive të objektit të Ramiz Sadikut. Këta të rinj kanë punuar për disa ditë në punëtori të ndryshme, kanë mbledhur informata nga banorët lagjes, të cilët ju kanë rikujtuar funksionet e ndryshme që ka pasur ky objekt. Ideja e kësaj ekspozite është të rifunksionalizohet për një ditë ky objekt dhe të rikthehet në vëmendje të qytetarëve”, shpjegoi Kërqeli.
Ekspozita paraqitet në formë mediale, me performanca muzikore, audio dhe video performanca, duke sjellur një shumëllojshmëri të performancave të ndryshme që do të prezantohen për një orë.
Disa nga performuesit janë: Nol Musa, Rita Zhubi, Lekë Zeqiri, Lendi Mustafa, Diellza Përvetica dhe artistë të tjerë.
Projekti financohet nga ‘Bashkimi Evropian’ (BE) dhe menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, zbatohet nga ‘Qendra Multimedia’ dhe ‘Goethe-Institut’.