Bashkë me stinët e ftohta, shtohen edhe vështirësitë dhe rreziqet në komunikacion. Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes e mospërshtatja e shpejtësisë së mjetit me kushtet e rrugës, shto këtu edhe kushtet atmosferike, bëjnë që pjesëmarrja në komunikacion gjatë stinëve me reshje atmosferike, të jetë më e rrezikshme. Prandaj, për t’u njohur me rreziqet dhe këshillat, Radio KFOR-i ka intervistuar Inxhinierin e Komunikacionit, Z. Nol Dedaj, njëherit Doktor i Shkencave për Aksidentet e Komunikacionit: “Nëse flasim për faktorin rrugë ose elementet e faktorit rrugë, që fillojnë të vështirësohen gjatë sezonit dimëror deri në syrin e pranverës, zakonisht këto si elementë rruge, munden me na u paraqitë, si p.sh. shiu, që është i barabartë koeficientin e frenimit me akullin a lagët, pastaj munden me na u paraqitë edhe elemente të tjera rrugore, si mungesa e sinjalizimit, që në Kosovë mungesa e sinjalizimit është 39-40%, e një përqindje tjetër është që japin informacione në kundërshtim me rregullat, në kundërshtim edhe me situatën në komunikacion dhe sigurisht një pjesë tjetër janë edhe shenjat e komunikacionit që nuk i japin informacionet me kohë. Një element tjetër jo edhe aq i diskutuar, është edhe elementi i akullit të zi që mund të paraqitet në fund të muajit nëntor dhe në muajt dhjetor, janar, shkurt dhe mars. Edhe pse ai paraqitet në intervale të caktuara kohore dhe të shkurtra (të njëjtit mund të jenë edhe gjysmë ore), për shkak të kushteve të krijuara atmosferike, temperaturave të ulëta, të reshurave atmosferike fillestare, pastaj mund të jetë edhe pa të reshura por me mjegullën e dendur. Për shkak të kësaj, rreziku është më i madh në këto situata dhe janë 3 pika, ku kanë ndodhur edhe raste me fatalitet. Mazgiti, Sllatina pastaj e kemi edhe urën 6 kilometra për Shkup dhe temperaturat e ulëta krijojnë ngricë mbi sipërfaqe dhe akulli i zi nuk mund të jetë i dukshëm në distanca të caktuara dhe kjo mund të jetë befasi për shoferët dhe situatë shumë e rrezikshme.”
Si elementë preventivë, z. Dedaj tha se duhet të krijohen harta digjitale për akullin e zi dhe pikat e zeza, e në bazë të këtyre hartave, shoferët do të mund të informoheshin në kohë për kushtet e rrugës, duke shtuar se shoferi duhet të veprojë në bazë të kushteve atmosferike dhe ta drejtojë automjetin me shpejtësi të sigurisë, në mënyrë që në çfarëdo momenti që paraqiten kushte të caktuara atmosferike dhe paraqiten faktorët e elementit rrugë, t’i marrin masat për të parandaluar aksidentet: “Gjatë vozitjes ne e kemi procesin dinamik. Procesi dinamik nënkupton zhvillimin e shpejtësisë e cila në momentin e goditjes, krijon forcë edhe gjatë drejtimit të automjetit që ne pranojmë informacion. Pra, me informacionet që ne pranojmë, ne duhet ta drejtojmë automjetin në bazë të kushteve, nuk guxojmë ta drejtojmë automjetin në 100km/h nëse është duke rënë borë, sepse koeficienti i puthitjes në mes të pneumatikut-rrotës edhe asfaltit është shumë i vogël”, tha. Z. Dedaj në një intervistë dhënë Radio KFOR-it.