Që nga fillimi, Radio KFOR-i ka pasur një mision të qartë: të informojë, argëtojë dhe fuqizojë çdo individ në komunitetin tonë. Ne, ekipi i Radio KFOR-it, jemi krenarë që kemi ndihmuar në krijimin e një ambienti më të mirë për të gjithë ata që jetojnë këtu. Emisionet tona janë ndërtuar me përkushtim dhe dashuri për publikun, duke u përpjekur gjithmonë të pasqyrojmë realitetin e përditshëm dhe aspiratat e dëgjuesve tanë. Me emisionet tona të ndryshme, ne kemi inkurajuar bashkimin ndërmjet kulturave dhe kemi ofruar një hapësirë për zërat e ndryshëm të shoqërisë. Nga intervista me artistë e aktivistë, deri te debatet mbi çështjet sociale, çdo program është krijuar për të ofruar një perspektivë të re dhe për të nxit reflektim. E ne, ju premtojmë se të tillë do të jemi edhe në vitet që po vijnë, do të mundohemi që humori dhe kënga të ju përcjellin gjithmonë, këtu në frekuencat e Radio KFOR-it. Andaj, në prag të Vitit të Ri, ekipi i Radio KFOR-it falënderon dhe shpreh mirënjohjen për dëgjuesit tanë të cilët i kemi gjithmonë pranë si dhe për punën ekipore të ekipit tonë. Më poshtë mund të gjeni mesazhet dhe urimet e ekipit tonë për Vitin e Ri 2025:
Menaxherja e Radio KFOR-it, Emina Hyseni Shala:
Të nderuar dëgjues të Radio KFOR-it,
“Ndërsa i japim lamtumirën 2024-ës dhe hyjmë në 2025-ën, më lejoni të ju falënderoj që jeni me ne në çdo hap të rrugës. Besimi, besnikëria dhe angazhimi juaj na frymëzojnë që t’ju sjellim më të mirën në muzikë, lajme dhe histori që na bashkojnë të gjithëve. Viti i ri është një kohë për të reflektuar, për të vendosur qëllime të reja dhe për të përqafuar mundësi të reja. Dëshira ime e përzemërt është që viti 2025, t’ju sjellë juve dhe të dashurve tuaj shëndet, lumturi dhe sukses. Qoftë një vit i mbushur me gëzim dhe paqe. Në Radio KFOR, ne mbetemi të përkushtuar që të jemi shoqëruesit tuaj, zëri juaj dhe burimi juaj i frymëzimit gjatë gjithë vitit. Së bashku, ne do të vazhdojmë të promovojmë diversitetin, tolerancën dhe të përforcojmë mesazhin e paqes”. Faleminderit që na bëtë pjesë të rrugëtimit tuaj!
Redaktorja e Radio KFOR-it, Mirditë Meha Bajrami:
“Në programin festiv të Vitit të Ri këtu në Radio KFOR, patjetër që duhet falënderuar të gjithë juve dëgjues të dashur, që e mundësuat rrugëtimin tonë deri këtu. Të gjithë ekipi i Radio KFOR-it, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për çdo dëgjues që na ka mbështetur gjatë këtyre 25 viteve. Pa ju, kjo radio nuk do të ishte ajo që është sot. Uroj që ky Vit i Ri të ju sjellë paqe, shëndet dhe shumë momente të lumtura për ju dhe familjet tuaja. Le të jetë ky vit i mbushur me mundësi për rritje, përparim dhe suksese. Faleminderit që jeni pjesë e Radio KFOR-it dhe që na mundësoni të vazhdojmë të bëjmë atë që duam më së shumti – t’ju ofrojmë informacion, muzikë, humor të mirë dhe momente të paharrueshme çdo ditë. Gëzuar Vitin e Ri 2025.”
Moderatore/gazetare, Merita Gjoni:
“Uroj që viti 2025 të ju sjellë shëndet, paqe, mirëkuptim e dashuri. Faleminderit që jeni pjesë e jona çdo ditë. Gëzuar miq të dashur të Radio KFOR-it.”
Moderatore/gazetare, Pranvera Behrami Breznica:
“Hape zemrën dhe dhuroni e pranoni sa më shumë dashuri, duke qenë të hapur për çdo dallgë që mund të ju sjellë jeta. Gëzuar me shëndet e bekime!”
Moderatore/gazetare, Trëndelinë Duli:
“Uroj që 2025-ta të sjellë shëndet, begati, dashuri e shumë buzëqeshje tek të gjithë njerëzit e botës. Uroj që të realizoni qëllimet e dëshirat tuaja përgjatë këtij viti e mos harroni që me guxim, besim dhe përpjekje, do të arrini çdo gjë që keni dëshiruar. Paqe e shëndet për të gjithë!”
Moderatore/gazetare, Vjosa Spahiu Gola:
“ Dëgjues të dashur ju falënderoj për përkrahjen dhe besimin tuaj të vazhdueshëm. Radioja është një lidhje e ngushtë që na bashkon dhe na mban afër, edhe kur distancat janë të mëdha. Secili prej jush është një pjesë e rëndësishme e kësaj aventure dhe falë jush, puna jonë ka më shumë kuptim. Zëri ynë do të jetë gjithmonë me ju, për të sjellë informacione, muzikë dhe argëtim. Urime shëndet, mbarësi dhe dashuri!”
Moderator/gazetar, Fisnik Zymi:
“Le të jetë viti që vjen me përplot mundësi të reja, suksese dhe momente të paharrueshme. Uroj që çdo ëndërr e juaja të marrë fluturim dhe çdo hap që hidhni të ju çojë më pranë lumturisë. Gëzuar dhe çdo të mirë për Vitin e Ri 2025!”
Moderator/gazetar, Engjëll Bërbatovci:
“Të dashur dëgjues, gëzuar Vitin e Ri 2025! Uroj që ky vit të ju sjellë gëzim, shëndet dhe suksese në jetën tuaj. Faleminderit që qëndroni pranë frekuencave tona – së bashku e bëjmë çdo ditë më të veçantë.”







