Në një kohë kur shohim tensione, polarizim dhe konflikte në shumë vende të botës, thirrja për paqe është më aktuale se kurrë. Ajo na kujton se dialogu dhe bashkëjetesa janë alternativat e vetme të qëndrueshme ndaj dhunës.
Sot, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës’ dhe është një nga ato ditë, kur bota ndalet për të reflektuar mbi fuqinë e fjalës, dialogut dhe respektit ndaj njëri-tjetrit. Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2007 dhe lidhet ngushtë me filozofinë e Mahatma Gandhit, i cili arriti të udhëheqë popullin e tij drejt pavarësisë në mënyrë paqësore.
‘Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës’, është një ftesë për veprim dhe kjo na kujton se ndryshimi fillon nga individi. Nëse secili prej nesh zgjedh fjalën në vend të dhunës, dialogun në vend të konfliktit dhe respektin në vend të urrejtjes, atëherë shoqëria jonë do të bëhet më e drejtë dhe më e qëndrueshme.







