Dita e sotme na kujton se mbrojtja e planetit tonë, nuk fillon vetëm me ligje, por me formimin e një brezi të ri që ka respekt dhe dije për burimet natyrore.
Në një kohë kur ndryshimet klimatike, ndotja dhe humbja e biodiversitetit janë sfida të përditshme, është parë e nevojshme që përgjatë vitit një ditë ti dedikohet edhe mjedisit. Andaj, çdo vit me 26 janar, shënohet “Dita e Edukimit Mjedisor”, e cila nxit ndërgjegjësimin global për rëndësinë e edukimit rreth mbrojtjes së mjedisit.
Edukimi mjedisor synon të formojë qytetarë të vetëdijshëm, të përgjegjshëm dhe të gatshëm të marrin vendime të cilat mbrojnë planetin, duke përfshirë fushata ndërgjegjësimi mbi riciklimin, mbrojtjen e ujit dhe reduktimin e mbetjeve, të shtojë aktivitete si pastrimin e zonave të ndotura dhe mbjelljen e pemëve.
Edukimi mjedisor nuk është vetëm transferim informacioni, është formësim kulturor i cili u ndihmon brezave të rinj të kuptojnë se çdo veprim, sado i vogël që është ka ndikim në planetin tonë.







