Edon Molla është me prejardhje nga Kosova, por që jeton dhe vepron në New York. Po të kërkosh për të, në rrjetet sociale e kupton se tashmë ai është një emër në ngritje në fushën e muzikës dhe një emër që ka trasuar rrugën e suksesit ndërkombëtar. Një ditë më parë, z. Molla, lajmëroi që emri i tij do të jetë edhe pjesë e ceremonisë së 93-të, të një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në glob, ndarjes së çmimeve OSCAR. Kjo pasi ai është krijuesi i kolonës zanore të filmit “Mmmmm (Sound Of Pain)”, që sivjet ka arritur të jetë në listën e ngushtë të filmave të kualifikuar për nominim në OSCAR, 2021. Në një intervistë për Radio KFOR-in, z. Edon Molla, tregon se si ndodhi që kënga e tij të jetë pjesë e filmit: “Unë publikova albumin tim të ri të quajtur “Për Meritën”, ndërsa producentit të filmit, Sohan Roy dhe drejtorit muzikor, Jubair Muhammed, me të vërtetë u kishin pëlqyer këngët nga ai album. Ata më pyetën nëse do të isha i interesuar të shkruaja një këngë për ndryshimet klimatike, dhe unë pa hezitim e shfrytëzova mundësinë që mu ofrua për ta realizuar atë këngë.”
Për këtë arritje, z. Edoni, me mburrje tregoi edhe se si po ndihet pas këtij vlerësimi: “Jam tepër krenar që kam qenë pjesë e një filmi që ishte në garë për çmimin OSCAR. Jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë mbështetjen, që kam marr këto ditë.”
Përzgjedhja e filmit “Mmmmm (Sound Of Pain)”, u bë lajm ndërkombëtar pasi u zgjodh në listën e ngushtë prej 366 filmave, të cilët nga Akademia Amerikane, janë përzgjedhur duke u nominuar për çmimin OSCAR. Kujtojmë që votimet për kategoritë e ndryshme për OSCAR, janë mbajtur nga data 5 deri më 15 mars, kur edhe janë shpallur nominimet zyrtare për ceremoninë finale të ndarjes së çmimeve OSCAR’s, e cila do të mbahet me datën 26, prill 2021.