Data e sotme, 27 tetori, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Botërore të Trashëgimisë Audio-vizuale’. Kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë, tregoi kështu për Radio KFOR-in, Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS-, zonja Vjollca Aliu: “Minisria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit (MKRS) edhe këtë vit shënon ‘Ditën e Trashëgimisë Audio-vizuale’, gjithsesi këtë vit pak më ndryshe për shkak të pandemisë, ne megjithatë kemi arritur që ta organizojmë një aktivitet i cili do të jetë shumë simbolik dhe do të mbahet sot (27.10.20), në Muzeun Kombëtar të Kosovës prej orës 16:00. Sigurisht që trashëgimia audio-vizuele është tepër e rëndësishme, sikurse për të gjitha vendet e botës ashtu edhe për ne, aq më tepër kur flasim për kujtesën kolektive, ngjarjet e ndryshme historike, kulturore, filmat e dokumentarët të cilëve këtë vit u kemi dhënë një mbështetje më të madhe dhe do të vazhdojmë edhe më tutje t’i inkurajojmë të gjithë, në mënyrë që kjo trashëgimi të ruhet dhe të promovohet.”
Nga ora 16:00, në Muzeun e Kosovës, do të shfaqet audio-drama ‘Unë dua të të duhem”, që është pjesë e ciklit të audio-dramave që ka mbështetur Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Kjo audio-dramë vjen nga OJQ Integra, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me interpretim të Rebeka Qenës.