Megjithëse numri i të prekurve nga CoViD-19 është në rënie, krahasuar me muajt e mëparshëm, ka ende thirrje për kujdes të shtuar ndaj pandemisë CoViD-19.
Apel për kujdes të shtuar ka edhe infektologu, Dr. Murat Mehmeti, i cili për Radio KFOR-in tha: “Realisht mund të themi se është një rënie e vogël në krahasim me muajin e kaluar, por apeli nuk ndryshon, ku ende duhet t’i përmbahemi tre elementëve kryesore, siç janë: mbajtja e maskës, respektimi i distancës dhe mirëmbajtja e higjienës. Nuk ka asnjë këshillë tjetër derisa të vaksinohemi, por duhet të vazhdojmë t’i respektojmë këto masa.”
Nga ana tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se vetëm gjatë 24 orëve të fundit 4 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 279 raste të reja me ‘CoViD -19’.
Sipas tyre, deri më tani, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive është 54.261 persona, nga 200.093 persona të dyshuar me virusin SARS-CoV-2 dhe deri më sot, janë regjistruar gjithsej 1.387 vdekje.
Në këtë situatë pandemie, të gjithë duhet të kemi një detyrë, të mbrojmë veten dhe të dashurit tanë nga CoViD-19, duke vendosur maskë, duke mbajtur distancë si dhe duke u kujdesur për higjienën.