“Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, kjo është motoja e manifestimit tradicional të aktivitetit “Ecja tradicionale kundër kancerit të gjirit”, që organizohet nga Qendra Kosovare për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta Vita”. Ky aktivitet i cili mbahet për herë të 11-të, do të realizohet më 20 Tetor, duke filluar nga ora 12:00, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Qëllimi i manifestimit është ndërgjegjësimi i shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit dhe krijimi i kushteve më te mira për zbulimin e hershëm dhe trajtimin optimal të kësaj sëmundje në Kosovë.
Pikërisht për këtë çështje, Radio KFOR-i kontaktoi një vajzë të prekur nga kanceri në gji nga Vushtrria, Emine Hajra, e cila dha një mesazh të fuqishëm për të gjitha femrat:
“Unë jam Emine Hajra, jam nga Vushtrria. Në dhjetor të vitit të kaluar jam diagnostifikuar me kancer në gji dhe nuk ka qenë i lehtë pranimi. Gjithçka e kam tejkaluar me vullnet, ka qenë shumë e vështirë për mua kur pranova që duhet të më heqin gjirin, mirëpo fatmirësisht e kam përballuar shumë lehtë, e kam tejkaluar këtë sfidë me vullnet, forcë dhe dëshirë për jetën. Kështu që i kisha lutur të gjitha gratë, të gjitha vajzat që të kenë vizita të rregullta tek doktori. Nuk duhet absolut me u neglizhu ky proces, prandaj thirrja ime kryesore kishte me qenë që, çdo ndryshim që vërejnë në gjirin e tyre, duhet të konsultohen me mjekun, meqenëse kjo sëmundje mund të parandalohet nëse zbulohet me kohë.”
E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kaceri i gjirit mbetet kujdesi i shtuar dhe kontrollet e rregullta mjekësore.