E përbashkëta e çdo njeriu, është ushqimi , por jo domosdoshmërish edhe përgatitja e tij, duke qenë se, jo të gjithë dinë të gatuajnë apo të shfaqin kreativitetin e tyre në kuzhinë. E shquar për kreativitetin e saj në realizim të turshive, është edhe znj. Rukije Krasniqi Gashi, e cila përvojën e saj në përgatitjen e tyre e shpalosi edhe për Radio KFOR-in: “Si çdo vit tjetër edhe përgjatë kësaj vjeshte, jam munduar të përgatisë të gjitha llojet e turshive, duke filluar nga specat, domatet, trangujt, ajvar shtëpie, reçelra të ndryshëm si të kumbullave, mollëve dhe të rrushit. Sekreti i një rezultati sa më të kënaqshëm, është përgatitja e tyre me dashuri, përkushtim dhe kreativitet, në mënyrë që përveç shijes së mirë, të duken edhe bukur. Mundohem që gjatë stinës së dimrit ta pasuroj tryezën me llojllojshmëri ushqimesh, të përgatitura nga duart e mia, me shumë dashuri, për familjen time, pse jo edhe për miqtë e mi.”
Sikur znj. Krasniqi Gashi, janë edhe shumë të tjerë, të cilët mendojnë për begatimin e tryezave edhe gjatë stinës së dimrit, jo vetëm me turshi por edhe me produkte të tjera që nuk gjenden në treg gjatë stinës së dimrit, por të cilat i përgatisin dhe i ruajnë në ngrirje, që familjarëve të tyre të mos u mungoj asnjëherë ushqimi i tyre i preferuar.