Janë bërë dy vite, që nga shpallja e pandemisë COVID-19 edhe në vendin tonë. Se si u përballua kjo sfidë e shëndetit publik në Kosovë dhe se sa sfiduese ka qenë kjo periudhë për profesionistët shëndetësorë?!, – Radio KFOR-i mësoi nga Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, z. Faik Hoti:
“Dy vjet ballafaqimi me pandeminë COVID-19, kanë qenë mjaft të vështira për shkak të humbjes së jetës së mbi 3.100 banorëve të Kosovës, infektimit të mbi 200 mijë personave dhe dëmeve të tjera të mëdha të shkaktuara nga pandemia, përveç në aspektin njerëzor edhe në rrafshin ekonomik e social. Megjithatë, pandemia ka vënë në shprehje edhe angazhimin e madh të institucioneve, vetëmohimin dhe profesionalizimin e profesionistëve shëndetësor para së gjithash, për të ia dalë me një sfidë shëndetësore të pa-përjetuar ndonjëherë. Po ashtu, është dëshmuar se partneriteti midis vendeve e popujve dhe solidariteti njerëzor është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Pandemia ka shërbyer në të njëjtën kohë, që të fuqizohen resurset humane në shëndetësi, të përmirësohen linjat e furnizimeve me barna dhe materiale shpenzuese e mbrojtëse, të ngriten kapacitetet spitalore dhe shërbimet mbështetëse dhe ajo që është treguar storie suksesi, përkundër se në Kosovë ka filluar më vonë se kudo në rajon, është vaksinimi kundër COVID-19, falë një organizimi të mirë në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor dhe udhëhequr nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19 i MSH-së”, tha z. Hoti, duke rikujtuar qytetarët se pandemia është ende aktive dhe se ata duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë masat në fuqi, të rrisin vet-kujdesin dhe të vaksinohen.