Titulli i kampionit në futsall shkon në Skenderaj. FC Drenica u kurorëzua kampione e Kosovës pasi mposhti FC Prishtina 01, me rezultat 7:4, në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma, duke përmbyllur me sukses serinë finale të play-offit.
Ndeshja e dytë e play-offit final, u zhvillua në praninë e shumë shikuesve në palestrën e Pallatit, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Drenica kishte triumfuar edhe në ndeshjen e parë të finales së play-offit, duke e mposhtur FC Prishtina 01, me rezultat 9:7. Me dy fitore në serinë finale, skuadra nga Skenderaj u kurorëzua kampione e Kosovës në futsall.
Ndërkohë, FC Prishtina 01 këtë edicion arriti të fitojë Kupën e Kosovës, pasi në fund të muajit prill triumfoi në finalen ndaj FC Liqenit të Drenasit.







