Kanë kaluar 5 muaj që nga shfaqja e rasteve të para të të infektuarve me virusin SARS-CoV-2, ndërsa aktualisht në Kosovë aktive janë 12.448 raste pozitive dhe 467 raste të shënuara të vdekjeve.
Se a do të kemi valë të dytë të virusit ‘CoVid-19’, në Kosovë dhe çfarë do të duhej të vepronim edhe më tutje për të qenë sa më larg virusit, Radio KFOR-i realizoi një intervistë ekskluzive me Dr. Luljeta Ahmetaj, e cila nënvizoi: “Nuk e kemi kaluar ende valën e parë të virusit dhe bazuar në eksperiencën tonë me virozat e stinës së vjeshtës (influencën, parainfluencën, ftohjet e zakonshme), ne presim një përkeqësim të situatës edhe me Coronavirus gjatë muajve të vjeshtës si dhe ne pranverën e hershme. Kështu që duhet të përgatitemi shumë më seriozisht për këtë situatë”.
Dr. Ahmetaj bëri apel që të anashkalohen shprehitë tona sociale si dhe shtoi: “Si duket ne nuk po mundemi t’i anashkalojmë disa shprehi tona sociale, (grumbullimet e panevojshme). Për këtë arsye për muajt e vjeshtës duhet të jemi shume më serioz, duhet te vaksinohemi ndaj gripit sezonal, sidomos moshat e rrezikuara mbi 65 vjet, të sëmurët kronik, personeli shëndetësorë si dhe grup moshat e caktuara të fëmijëve. Duhet të investojmë në imunitetin tonë, të ushqehemi mirë, të marrim ushqim vitaminoz, të ushtrojmë në shtëpi ose në natyrë të hapur dhe kryesorja të mos grumbullohemi”, tha për fund, Dr. Ahmetaj.