Sot (02.08.24), fillon edicioni i 23-të me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, që do të mbahet deri më 10 gusht 2024, në kinematë rreth kalasë apo qendrës historike të Prizrenit. Festivali i këtij viti ka përzgjedhur 103 filma nga e gjithë bota, të klasifikuara në 8 kategori.
Nëntë ditë do të jenë emocionuese, të mbushura me ngjarje magjepsëse, duke përfshirë ekspozita fotografike dokumentare, debate, master klasa informative dhe performanca muzikore.
“DokuFest” është themeluar në vitin 2002, me qëllim të rigjallërimit të kinemasë dhe jetës kulturore në vendin tonë. Ndër vite u rrit dhe u zgjerua në festivalin më të rëndësishëm të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropën Juglindore. Veçanërisht, që nga viti 2019, “DokuFest” ka fituar statusin e vlerësuar si një festival kualifikues BAFTA për filma të shkurtër dhe në vitin 2022, ai është bërë edhe festival nominues për Akademinë prestigjioze Evropiane të Filmit, EFA.
Për tu njoftuar më shumë rreth programit të këtij viti, klikoni në: www.dokufest.com







