Të rinjtë kosovarë, po dëshmohen çdo ditë e më shumë kudo në botë për talentet e tyre. Gazeta prestigjioze britanike, “The Guardian”, ka përzgjedhur kosovaren Hana Arapin, për të bërë dizajnin grafik në shënimin e 200-vjetorit të kësaj gazete. Në një intervistë për Radio KFOR-in, bashkëthemeluesja e kompanisë ‘’Amam Studio’’, Hana Arapi tregoi rrugëtimin se si u bë pjesë këtij projekti:“Kjo është arritja më e madhe që kemi pasur deri tash në historinë 3 vjeçare të kompanisë, studios tonë të dizajnit dhe animacionit. Mënyra se si kemi ra në kontakt me ‘The Guardian’ ka qenë përmes nje thirrjeje e cila ka qenë e hapur mirëpo që në këtë thirrje nuk është tregu se për çfarë projekti apo kompanie është fjala. Është kërkuar një ‘motion design’’ edhe pasi këtë vit kemi vendosur ne si kompani që ta rrisin portofolion tonë duke bashkëpunuar me klientë nga perëndimi, kemi vendosë me apliku me projekte të ndryshme. Për këtë projekt ka qenë një konkurrencë shumë e madhe. Megjithë dyshimin ne kemi vendosur me apliku, thirrja ka qenë e hapur prej regjisores Franceska de Bassa, e cila njëherit e ka bërë regjinë e projektit me të cilën kam rënë në kontakt dhe i kam dërguar portofolion me të cilën vendosëm të zhvillojmë një takim në të cilën e kuptuam që do të punojmë për The Guardian.” Siç na tregoi znj. Hana, megjithëse puna e saj është përzgjedhur kohë më parë, deri në këto momente ajo ka hezituar që ta ndajë lajmin për këtë projekt madhor. Përmes frekuencave të Radio KFOR-it, Hana ka porositur të gjithë të rinjtë e Kosovës që kurrë mos të ndalen duke punuar me përkushtim: “Besimi në punë dhe disiplina janë çelësi i suksesit sidomos për profesionin e dizajnit. Një prej këshillave të cilat unë i ndjekë, mundohem mos me u krahasu edhe mos me marr parasysh vendin ku jetojmë apo rrethanat, gjithmonë punoj për të mësuar gjëra të reja dhe gjithmonë edhe si kompani jemi munduar që të gjitha realizimet të mos i bëjmë vetëm që klienti të ndahet i kënaqur, por jemi munduar me realizu punë të një standardi profeisonal që vlerësohet edhe jashtë vendit. ”
Më poshtë mund të gjeni videoprojektin e 200-vjetorit të “The Guardian”, dizajnin grafik të të cilit e ka realizuar Hana Arapi dhe kompania e saj, “Amam Studio“.