– Dashuria është forca më e madhe për të kaluar të këqijat e botës – thuaj jo dhunës.
‘Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës’, shënohet çdo vit me 2 tetor, në ditëlindjen e aktivistit politik dhe mbrojtësit të të drejtave të njeriut, Mahatma Gandhi.
Një rezolutë e posaçme nga ‘Kombet e Bashkuara’ siguron rëndësinë universale për të siguruar paqe, tolerancë, mirëkuptim duke i thënë jo dhunës. Në këtë ditë shoqëritë botërore angazhohen për të rritur ndërgjegjësimin për paqe, për pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve.
Sipas organizatës botërore të matjes së dhunës ‘The Peace Alliance’, çdo vit në mbarë botën, dhuna shkakton më shumë se 1.6 milionë vdekje. Dhuna është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në të gjitha pjesët e botës për personat e moshës 15 deri në 44 vjeç. Kjo organizatë ka treguar se 35% e grave në mbarë botën kanë thënë se kishin përjetuar dhunë në jetën e tyre, qoftë fizike, seksuale, ose të dyja.
Siç ka thënë Gandi, “Mungesa e dhunës është forca më e madhe në dispozicion të njerëzimit. Është më e fuqishme se arma e shkatërrimit e krijuar nga zgjuarsia e njeriut”.
Të shënojmë këtë ditë duke thirrur për stabilitet, paqe dhe mirëkuptim në mes njëri-tjetrit.