Çdo të mërkurë, rrugët e Prishtinës do të mirëpresin çiklistët.
Kjo iniciativë vjen nga grupi i çiklistëve “Night Ride- Prishtina”, të cilët ftojnë të interesuarit që të marrin biçikletat dhe të takohen të mërkureve në mbrëmje, prej orës 20:00, në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Engesa Vitia nga “Night Ride- Prishtina”, lidhur me aktivtetin në fjalë, për Radio KFOR-in tha:
“Duke e pa Prishtinën e ngulfatur nga veturat dhe tymi, kemi vendosur që të promovojmë më tepër biçikletën, meqë e përdori çdo ditë. Andaj, idea ka ardhë krejt spontanisht, duke i përcjell edhe aktivitetet e çiklistëve nëqytete të tjera të botës, mendova që “Night Ride Prishtina”, të organizoj një event, këtë të mërkurë, për herë të parë në Prishtinë. Idea është të ngrisim vetëdijësimin tek shoferët gjatë gjithë kohës, meqë të ngasësh biçikletë në një vend si Prishtina, është shumë e rrezikshme, sepse nuk kemi shtigje. Do të mundohemi që çdo të mërkurë t’i japim një imazh tjetër Prishtinës, duke i ndezur ne dritat e biçikletave dhe duke shetitë me biçikleta rrugëve kryesore të Prishtinës.”
Gjithsecili që bëhet pjesë e këtij eventi, duhet të respektoj rregullat e qarkullimit dhe të grupit.