Malet janë pjesë shumë e rëndësishme për biodiversitetin e planetit tonë. Më shumë se gjysma e njerëzimit dhe jeta e tyre e përditshme varet nga ujërat e ëmbla malore dhe nga këtu kuptojmë edhe rëndësinë e maleve.
Për të shënuar rëndësinë që kanë malet në jetën e secilit, OKB ka ndarë ditën e sotme, 11 Dhjetor, si ‘‘Dita Ndërkombëtare e Maleve’, ndërsa tema e cila është përzgjedhur që të shënohet kjo ditë botërore është ‘Turizmi i qëndrueshëm malorë’.
Në lidhje me resurset natyrore të Kosovës, turizmit dhe sporteve malore, kemi diskutuar me Kryetarin e ‘Klubit Alpin Prishtina’, z. Nazmi Hasanramaj, i cili për radio KFOR-in tha: “Resurset tona malore kanë potencial për zhvillimin e sporteve malore dhe ne i ndajmë bashkë me fqinjët tanë. Të gjitha parametrat tregojnë që Kosova ka kapacitete për sporte të ndryshme malore. Nga ky kënd, do ta veçoja turizmin e kategorisë II, që janë ecjet pa rrezik në natyrë dhe ky aktivitet është më i kërkuari në botë. Si vend, ne duhet të bëjmë më shumë në fushën e turizmit malor, sepse kemi resurse, që me pak përpjekje, mund të nxjerrim dobi të mëdha prej tyre.”
Përndryshe ‘Klubi Alpin Prishtina’, në kuadër të programit të tyre kanë realizuar 40 aktivitete me grupe të mëdha të njerëzve dhe 50 aktivitete me grupe më të vogla të njerëzve, e gjithashtu është arritur edhe implementimi i 12 projekteve, që do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.