Sot shënohet ‘Dita e Solidaritetit Njerëzor’, e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të promovuar ndërgjegjësimin për rëndësinë e solidaritetit midis individëve, komuniteteve dhe kombeve. Kjo ditë thekson nevojën për të ndihmuar njëri-tjetrin, duke bërë të kuptojmë se vetëm duke punuar së bashku, ne mund të zgjidhim problemet e përbashkëta dhe të ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të barabartë.
Solidariteti njerëzor është thelbësor për zhvillimin ekonomik, reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë. Ky koncept promovon vlerat e barazisë, drejtësisë dhe paqes si dhe është një mbështetje e madhe për ata që janë në nevojë apo për ata që janë të përjashtuar nga mundësitë për shkak të faktorëve të ndryshëm.
Gjatë kësaj dite, organizatat dhe individët janë të ftuar të angazhohen në aktivitete që promovojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështetje reciproke, duke sjellë një mesazh të fuqishëm solidariteti dhe uniteti që kalon përtej kufijve.







