Shëndetësia është mirëmbajtja ose përmirësimi i shëndetit përmes parandalimit, diagnostikimit, trajtimit ose shërimit të sëmundjes, dëmtimit ose dëmtimeve të tjera fizike dhe mendore te njerëzit. Andaj për të rritur kujdesin shëndetësor, sot shënohet ‘Dita Botërore e Shëndetit’, e iniciuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila në këtë datë shënon themelimin e saj, në vitin 1948.
Kjo ditë ka për qëllim të rris ndërgjegjësimin global për shëndetin dhe të nxisë veprime që përmirësojnë mirëqenien e njerëzve në mbarë botën.
Kjo ngjarje, çdo vit ka një temë specifike që trajton çështje të ndryshme shëndetësore dhe sivjet, kjo ditë shënohet me temën “Fillime të shëndosha, e ardhme shpresëdhënëse” (Healthy Beginnings, Hopeful Futures). Tema e këtij viti do të nisë një fushatë njëvjeçare të fokusuar në shëndetin e nënave dhe të porsalindurve. Kjo iniciativë do të inkurajojë qeveritë dhe sektorin e kujdesit shëndetësor të intensifikojnë veprimet e tyre për të eliminuar vdekjet parandaluese të nënave dhe të porsalindurve si dhe do të fokusohet në shëndetin dhe mirëqenien afatgjatë të grave. Sipas OBSH-së, në botë afro 300.000 gra humbasin jetën çdo vit, për shkak të shtatzënisë ose lindjes së fëmijëve, ndërsa mbi 2 milionë foshnja vdesin në muajin e parë të jetës dhe rreth 2 milionë të tjerë lindin të vdekur. Kjo është afërsisht 1 vdekje parandaluese çdo 7 sekonda.
Për këtë arsye, fushata “Fillime të shëndosha, e ardhme shpresëdhënëse”, synon promovimin e informacionit dhe strategjive që mund të ndihmojnë në mbështetjen e shtatzënive dhe lindjeve të shëndetshme si dhe një shëndet më të mirë pas lindjes për nënat dhe foshnjat.







