Çdo vit me 27 Shkurt, bota shënon ‘Ditën e Organizatave Joqeveritare’, për të njohur punën e përditshme të njerëzve që qëndrojnë pas organizatave jo fitim prurëse.
Për shënimin e kësaj dite dhe rreth rëndësisë së OJQ-ve, për Radio KFOR-in ka folur Drejtori i organizatës joqeveritare “Let’s Do It Kosova”, z. Luan Hasanaj: “Organizatat joqeveritare kanë një rol shumë të rëndësishëm, me të gjithë angazhimin e tyre që e bëjnë në fushat e ndryshme, të cilat shkojnë në interes të shoqërisë dhe komunitetit në përgjithësi. Edhe ‘Let`s Do it Kosova’, po vazhdon me aktivitete në të mirë të shoqërisë, kemi filluar implementimin e një projekti që realizohet në 7 komuna të Kosovës, që qëllim kryesor e ka angazhimin e komuniteteve pakica, për të kontribuar në ruajtjen e mjedisit jetësor. Do ti kemi dy aksione të tjera të mëdha, njëri me 22 prill në ‘Ditën e Tokës’ dhe tjetri me 15 shtator, në ‘Ditën e Pastrimit të Botës’.”
Z. Hasanaj gjithashtu tregoi se organizata që ai drejton, do të vazhdojnë me fushatën ‘Ti japim vendit ngjyra’, e cila ka për synim që për 10 vjet, në bashkëpunim me komunitetin olimpik të Kosovës, ti mbjellin 1.8 milion fidane pemësh.