Tanimë kemi hyrë në muajin qershor, i cili shënon edhe fillimin e stinës së verës. Vera është stina e dytë dhe më e ngrohtë e vitit. Për shumë njerëz, vera është stina e preferuar, sepse është periudha e pushimeve, detit, diellit dhe aktiviteteve në natyrë. Disa nga arsyet që e bëjnë verën akoma më atraktive janë:
– Vera vë në pah bukuritë natyrore në thuajse çdo vend. Ajo karakterizohet nga mot me diell, natyrë e bukur dhe gjelbërim. Studimet e ndryshme psikologjike kanë arritur në përfundim se këto elemente kanë ndikim pozitiv në shëndetin mendor të njerëzve.
– Vera është stina e plazhit gjatë të cilës njerëzit pushojnë më gjatë dhe i shijojnë rrezet e diellit, përmes të cilave trupi i njeriut merr Vitaminën D. Përveç plazhit, motin e ngrohtë të verës mund ta shijoni edhe në zona tjera të gjelbëruara, siç janë malet, të cilat të japin freski.
– Vera është stina e vizitave, sepse ajo është sezoni ku vizitohen vende të shumta turistike. Stina e verës na përgatit për një periudhë plot aktivitete, ndodhi të reja dhe të papritura, gjë që e bën atë si stinën më atraktive të vitit.
Në vazhdim ju sjellim edhe disa nga rekomandimet që duhet të ndiqni gjatë ditëve të nxehta të verës, në mënyrë që të jeni të shëndetshëm:
– Pakësoni orët e gjata të ekspozimit në diell, sidomos nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
– Mbani veshur veshje të gjëra, të lehta, mundësisht të pambukta dhe me ngjyra të hapura.
– Përdorini syze për të mbrojtur sytë dhe kapele për kokën.
– Konsumoni ushqime më të lehta, me më pak kalori.