Java që sapo e kemi lënë pas, ka sjellur dështime por edhe ‘përforcime’ teknologjike, për ta bërë internetin një vend më të sigurt për të gjithë. Prodhuesi më i madh në botë i çipave kompjuterikë Samsung, ka paralajmëruar një “çekuilibër serioz” dhe kjo vjen pas një mungese globale të çipave. Bashkë me këtë, vjen edhe lajmi tjetër aspak i mirë nga Samsung, e që ndoshta ua ‘prishi’ planet shumë njerëzve në botë për blerjen e një telefoni të ri nga kjo markë, është vonesa që mund të ndodhë në lansimin e Galaxy Note.
Në fushën e sigurisë, qindra e mijëra kompani kanë pësuar nga një problem i sigurisë në Microsoft. Si pasojë e këtij “dështimi”, hakerët kanë bërë kërdinë në serverët e e-mail-it Exchange. Megjithatë Microsoft, lehtësoi kompanitë kur lansoi ‘Aplikacionin me Një Klik’, përmes të cilit kompanitë do te adresojnë problemin e sigurisë.
Sa i përket sigurisë online, java teknologjike u përmbyll me një lajm fantastik për prindërit e ndoshta shumë zemërthyes për fëmijët nën moshën 13 vjeçare. Instagram ka lansuar rregullat e reja të sigurisë. Nga tani ky rrjet social pritet të përdorë teknologji të reja të inteligjencës artificiale për të kuptuar nëse një përdorues është nën moshën 13 vjeç, kjo pasi pjesëmarrja e minorenëve në rrjetet sociale, po kthehet në një problem madhor global.