Më 20 mars, dritat e skenës ndizen për spektatorët më të sinqertë dhe kureshtarë. Bota sot kremton ‘Ditën Botërore të Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj’, nën moton: “Merrni një fëmijë në teatër sot”.
Kjo ditë nuk është thjesht një festë e artit skenik, por një thirrje për të drejtën e çdo fëmije për të pasur qasje në kulturë dhe kreativitet. Teatri për të rinjtë shërben si një pasqyrë ku ata shohin veten, mësojnë për botën dhe zhvillojnë ndjenjën e ndjeshmërisë dhe kritikës.
Nga shfaqjet me kukulla e deri te dramat interaktive, teatri mbetet një mjet i fuqishëm edukimi që nxit imagjinatën përtej ekraneve digjitale.
Radio KFOR-i inkurajon prindërit që sot, e kurdo që keni kohë ta bëni teatrin pjesë të botës së fëmijëve tuaj. Sepse çdo trokitje në skenë është një dritare e hapur drejt një të ardhmeje më të ndritur!







