“Dua të të kem dhe të të mbaj në të mirë dhe në të keq, në pasuri dhe varfëri, në sëmundje dhe shëndet, të të dua dhe të të gëzoj, derisa vdekja të na ndajë!”, ky është një nga betimet e dashurisë gjatë kurorëzimit të një çifti. Është dhuratë hyjnore nëse e takon shpirtin binjak, i cili nuk njeh moshë, kombësi apo besim, sepse mbi të gjitha është dashuria e cila mbjell dhe thur ëndrrat e së ardhmes.
Se një dashuri e tillë ekziston edhe tek ne dhe është realitet, na e tregojnë më së miri, çifti Todic, zotëri Caslav dhe zonja Leonora. Ata vijnë nga dy kombësi të ndryshme, shqiptare dhe serb dhe kanë besime të ndryshme, por që këto dallime nuk e kanë penguar dashurinë që e kanë për njëri-tjetrin: “Është e rëndësishme që të dy kemi rënë dakord dhe jemi plot dashuri dhe mirëkuptim. Nëse ke besim nuk është aspak problem. Zoti na ka gëzuar me dy fëmijë, djalin 8 vjeç dhe vajzën afër 6 vjeçe’, kështu u shpreh zotëri Caslav Todic.
Mirëpo, të njëjtin mendim e kishte edhe zonja Leonora, e cila për Radio KFOR-in shtoi: “Gjithçka po shkon shumë mirë, ne e respektojmë dhe e duamë njëri-tjetrin dhe kjo është me rendësi , sepse gjëja më e rëndësishme në martesë është dashuria.”
Kosova është një vend shumetnik, prandaj ka edhe martesa të përziera të cilat ndër vite kanë dëshmuar që dashuria dhe respekti ndaj njëri-tjetrit nuk njeh kombësi apo besim.