Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”, i cili tashmë ka krijuar identitetin e tij në mbështetje të ideve të reja dhe kreative, sivjet vjen me gjashtë mbrëmje koncertale dhe tri ligjërata.
Edicioni i 14-të i festivalit, që nis sot (26.03.19) me performancën e Kuartetit të Parisit, do ta ketë fokusin te Gara Ballkanike e Kompozitorëve dhe pak para nisjes së këtij edicioni, “DAM” ka fituar etiketën ‘EFFE Label’ si festival i dalluar i arteve për cilësi.
Siç shprehet drejtori artistik, njëherësh bashkëthemelues i festivalit Dardan Selimaj, në këtë edicion artistëve u është krijuar hapësira si mundësi për të shkëmbyer pasionin dhe dashurinë e tyre: “Vazhdojmë të krijojmë hapsirë që artistët e rinj të shkëmbejnë idetë dhe mendimet me vizionin e qëllimin e vetëm, për të krijuar art. Gara paraqet shtyllën kryesore të festivalit këtë vit”, tha më tej për Radio KFOR-in, z. Selimaj.
Ky organizim ka për qëllim krijimin e një program bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor dhe krijimin e marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë.