‘I pasur, apo i varfër, i edukuar apo analfabet, besimtar apo jobesimtar, burrë apo grua – në fund të fundit, të gjithë jemi njësoj dhe të barabartë. Të gjithë ndajmë nevojat themelore për ushqim, strehim, siguri dhe dashuri. Të gjithë aspirojmë lumturinë dhe i shmangemi vuajtjeve. Secili nga ne ka shpresa, shqetësime, frikë dhe ëndrra. Të gjithë e duam më të mirën për familjen dhe të dashurit tonë. Secili nga ne, ndjen dhimbje kur humb dhe gëzim kur triumfon. Në të gjitha këto, feja, etnia, gjuha dhe kultura nuk përbëjnë asnjë dallim’. Kështu thoshte dijetari Dalai Lama, i cili edhe njëherë ia bëri me dije të gjithë njerëzimit se forca e vërtetë qëndron në ndryshime, jo në ngjashmëri.
Një shoqëri shumë etnike, e pasuruar nga dallime kulturore, etnike e të tjera, është edhe kjo e jona, falë angazhimit të gjeneratave të shumta, të rinj e të moshuar, që përçojnë shembull të tolerancës dhe bashkëpunimit. E tillë është edhe aktivistja, Lorenta Kadriu, e cila në një deklaratë dhënë Radio KFOR-it, tregon se si prania e kulturave të shumta ofron një ambient më të ngrohtë në Kosovë: “Diversiteti është një mundësi mjaft e mirë. Ne si shoqëri, e cila kemi sfida të ndryshme si ajo e izolimit, prania e kulturave të ndryshme na ofron mundësi që të zhvillojmë njohuritë tona, por edhe ne të zhvillohemi personalisht. Shoqëria jonë ka fat të ketë praninë e kulturave të ndryshme dhe unike, ku së bashku ofrojnë një ambient shumë të ngrohtë dhe përparimtar.”
Ngjashëm shprehet edhe aktivistja nga Komuniteti Serb, Tamara Vuçiq (Tamara Vučić), e cila për Radio KFOR-in, tha: “Nëse ne mendojmë për të gjithë të rinjtë që jetojnë këtu, atëherë duhet të vazhdojë ndërtimi i kapaciteteve për bashkëpunim dhe përfshirja e të gjitha grupeve në procese të rëndësishme. Përparësitë e një shoqëri të tillë nisin pikërisht nga multikulturalizmi, i cili nuk njeh kufij. Nga diversiteti burojnë ide dhe qasje inovative për zgjidhjen e problemeve.”
Bëhuni shembull i tolerancës, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik, duke përkrahur një qasje të barabartë për të gjithë njerëzit në Kosovë, pa asnjë dallim.