Profesionistët shëndetësor japin këshilla se si të sillen prindërit karshi fëmijëve të tyre përgjatë pushimeve verore, pas përfundimit të procesit mësimor online dhe pas mungesës së aktiviteteve fizike, si pasojë e karantinës.
“Duhet të gjeni aktivitete sa më argëtuese për të vegjlit tuaj, duke qenë të kujdesshëm që koha e ngrënies dhe ajo e gjumit të jenë sa më konsistente. Aktivitetet duhet të përqendrohen sa më shumë në natyrë, ku nuk ka grumbuj njerëzish, gjithnjë duke respektuar masat mbrojtëse kundër virusit Corona”, kështu theksojnë ekspertët e Universitetit të Albertës.
Aktiviteti i rregullt fizik është i rëndësishëm si për mirëqenien tonë fizike ashtu edhe për atë mendore. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon që fëmijët dhe të rinjtë e moshës 5–17 vjeç të angazhohen në të paktën 60 minuta, aktivitet fizik me intensitet mesatar dhe të fortë çdo ditë.
Siç pohojnë ekspertët, popullata e gjerë, profesionistët mjekësorë dhe autoritetet e shëndetit publik duhet të jenë të përgatitur për valë të të nxehtit dhe t’i parandalojnë dhe të përballen me pasojat e mundshme ndaj shëndetit si rezultat i ekspozimit ndaj temperaturave të larta, sidomos në këtë situatë pandemike.