Përmes projekteve dhe donacioneve të shumta, Ekipi Ushtarak dhe Civil (CIMIC) i KFOR-it, dje (12.11), dhuroi pajisje kompjuterike, muzikore, karrige, tavolina dhe pajisje të tjera mbështetëse Qendrës Rinore Publike, në komunën e Skenderajt.
Përfaqësuesi i zyrës së CIMIC-ut në KFOR, ishte i pranishëm në dorëzimin e këtij donacioni dhe me këtë rast tha: “Ky donacion ishte iniciuar nga Ekipi Slloven Monitorues për Mbikëqyrje. Dhurimi do të ndihmojë të rinjtë e qytetit të Skenderajt, që ata të fokusohen në edukim edhe jashtë orarit të shkollës dhe për të ardhmen e tyre, duke i përfshirë ata që të angazhohen në inovacion. Kjo do të sjellë përmirësim dhe shpresë për të rinjtë e qytetit të Skenderajt, për të vazhduar rrugëtimin e tyre.”
Drejtori në ‘Qendrën Rinore Publike’, në Skenderaj, Besmir Beka, shprehu entuziazmin dhe mirënjohjen e tij për këtë donacion dhe deklaroi: “Donacioni i KFOR-it do të na ndihmoj në zhvillimin e misionit tonë, drejt krijimit të një ambienti miqësor, ku të rinjtë mund ta shfrytëzojnë këtë qendër. Në Qendrën Rinore janë tri salla, të cilat janë në shërbim të të rinjve. Dua ta falënderoj KFOR-in për këtë donacion, të cilëve u jemi shumë mirënjohës.”
CIMIC-u përmes projekteve dhe donacioneve në shumë vende të Kosovës, dëshmon se prezenca dhe asistenca e tyre ndihmon në fuqizimin e të rinjve në Kosovë.