Ngjarjet dhe aktivitetet kulturore, do të vazhdojnë të jenë shoqëruesit e të gjithë artdashësve në gjysmën e dytë të muajit shkurt. Dhe për të gjithë ju që ende keni dilema për planet tuaja, Radio KFOR ju ndihmon të jeni pjesë në njërën nga to:
– Për adhuruesit e muzikës latine, sidomos vallëzimit, kjo e shtune mbrëma do të ofrojë magjinë e vallëzimit salsa, në Prishtinë. Love and Dance Prishtina, po organizon Salsa Musicality Workshop me Dodi Al-Kamouni, valltar – njohës shumë i mirë i muzikës dhe producent. Workshopi-i do të mbahet në studion e Love and Dance Prishtina, nga ora 17:00-18:30. Regjistrimi po ashtu mund të bëhet në rrjetet sociale të Love and Dance Prishtina, ku do të keni 1 orë e gjysmë intensive për muzikalitet si dhe lëvizje në çift.
– Përveç muzikës Salsa, në Prishtinë do të kemi edhe zhanër tjetër, si Heavy Metal. Në datën 24 shkurt, me fillim prej orës 20:00, në “Defy Them” grupet si Solar Flare, Kromma, Nuclear Doom dhe grupit austriak VPAMC do të performojnë në vendin tonë, duke kombinuar zhanret grind & death me tinguj unik. Grupet kosovare janë mjaftë të talentuara dhe veçse kanë filluar të marrin oferta për të performuar edhe nga jashtë vendit. Kështu që për të gjithë adhuruesit e muzikës heavy metal, e 24 Shkurt, e Shtune ju ftojmë të bashkoheni për një super natë metalare!
– Pas organizimit fantastik nga “RAVE Festival”, në muajin nëntor të vitit të kaluar, Prishtina Music Conference po përpiqet të dërgojë këtë spektakël në një tjetër nivel, me një përvojë muzikore të jashtëzakonshme. Më 11 maj, në AMC Hall, figura qendrore e muzikës elektronike dhe rezident i klubit më të famshëm gjerman të zhanrit “Techno”, Ben Klock, pritet të elektrizojë Prishtinën, me shumë hite të tij, si: Subzero, Phantom Studies, Before One e të tjera. Biletat për këtë përvojë unike janë tashmë në dispozicion, në faqen zyrtare rave-travel.com.