Shfaqja e virusit ‘COVID- 19’, detyroi pothuajse gjithë globin të izolohet, duke u vetë-karantinuar, duke praktikuar distancën sociale dhe duke sakrifikuar lirinë në emër të një të mire të përgjithshme.
Të gjithë njerëzit në mbarë botën kanë përzgjedhur metodat e tyre për të kaluar këtë kohë pandemie, si duke u kujdesur për shtëpinë, duke luajtur më shumë me fëmijët, duke mësuar më shumë nga gatimi, e shumë aktivitete të tjera…
Për të ditur më shumë se si ndikon izolimi te njerëzit, Radio KFOR-i kontaktoi, psikologen klinike në Qendrën “Ri-jeta” në Ferizaj, Arjeta Musliu, e cila tha: ”Në përgjithësi izolimi ka ndikuar me një aspekt pozitiv. Fakti që më gëzon është se kemi ndryshuar në shumë aspekte, duke e ditur fillimisht vlerën dhe prezencën e familjarëve tanë që i kemi rreth vetës. Unë mendoj që në aspektin psikologjik një situatë që nuk vazhdon më shumë se tre muaj, ne adaptimin mundemi ta bëjmë shumë lehtë, si në izolim ashtu edhe me iu kthye qasjes, socializmit në rrethin që na rrethon.”
Përveç psikologes në fjalë, Radio KFOR-i ka kontaktuar edhe disa dëgjues për të dëgjuar nga ta se si po arrijnë ta pranojnë këtë kohë izolimi:
-“Përshëndetje, unë jam Brisilda Kaçiu. Unë mendoj se këtë situatë duhet ta shohim edhe nga një kënd tjetër. Është e vërtetë që disa aktivitete janë ndërprerë, mirëpo edhe ashtu nuk ua paskemi ditur vlerën. Tash me këtë pandemi besoj që secili prej neve e ka parë realitetin dhe do të dijë t’i vlerësoj të mirat që i kemi si, shëndetin, familjen, fëmijët, etj.”
-“Përshëndetje, unë jam Shkumbin Krasniqi. Urojmë që nuk do të zgjas shumë kjo pandemi, sepse do të jetë problem të kthehemi në realitet.”
-“Përshëndetje, unë jam Bleoron Kaçiu. E mira është që edhe kjo situatë do të kalojë, por një gjë e di, se kemi mësuar shumë nga kjo gjendje. Shpresoj se të tjerët nuk e kanë kaluar kohën kot, por kanë mësuar diçka të re, kanë lexuar ndonjë libër, apo edhe kanë mësuar ndonjë zanate përmes internetit.”
Ndërsa njerëzit janë duke qëndruar në shtëpi jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit, psikologja Arjeta Musliu, për fund porositi që ne duhet të mendojmë pozitivisht, të ushqehemi mirë dhe të kujdesemi për shëndetin tonë fizik dhe mendor për ta tejkaluar këtë situate.