Kosova është shumë e bukur në të gjitha stinët e vitit, por meqë tashmë jemi në stinën e vjeshtës prapë ka vende të bukura që ia vlejnë të vizitohen. Në vijim, ju sjellim disa nga vendet e shumta e të bukura të Kosovës të cilat mund t’i vizoni përgjatë kësaj periudhe:
Kalaja e Artanës: Ndryshe njihet edhe si Kalaja e Novobërdës dhe ndodhet në një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Kricarekës, në perëndim të Gjilanit. Në këtë kala, ruhen rrënojat e qytetit mesjetar në të cilin kanë banuar mbi 50 mijë banorë.
Kalaja e Prizrenit: Është monumenti më i njohur i trashëgimisë kulturore dhe simboli i qytetit të Prizrenit. Kalaja është ndërtuar në një kodër të lartë nga e cila shihet i gjithë qyteti i Prizrenit, si në pëllëmbë të dorës.
Brezovica dhe Luboteni: Bjeshkët e Sharrit ofrojnë pamje spektakolare dhe një vegjetacion të veçantë. Ato ofrojnë majat më të larta në Kosovë dhe pamjet nga më të mahnitshmet.
Rugova: Jo shumë larg Gjeravicës, në rajonin e Pejës ndodhet Rugova. Ndër destinacionet turistike të cilat mund të hyjnë në listën e top destinacioneve kosovare. Këtu mund të zhvilloni aktivitete të ndryshme, me mundësi akomodimi dhe ushqimi tradicional. Malet, pyjet, lumenjtë e liqenet janë pasuri me vlerë e këtij destinacioni.
Shpella e Mermertë në Gadime: Njihet ndryshe edhe si “Shpella e Gadimës” e cila është e gjatë 1.500 metra, por vizitorët lejohen ta vizitojnë dhe shohin vetëm 1.300 metra. Brenda shpellës gjendet Kati i Mesëm që është për vizitorë, Kati Nënujor dhe Kati i Sipërm.
Në territorin e Kosovës gjenden edhe katër liqene me sipërfaqe më të madhe, të cilat mund ti vizitoni. Në komunën e Zubin Potokut gjendet liqeni më i madh, Liqeni i Gazivodës, pastaj mund të vizitoni liqenin e Radoniqit në Gjakovë, liqenin e Badovcit i cili ndodhet 5 km larg Prishtinës në drejtim të Graçanicës dhe liqenin e Batllavës, në Komunës së Besianës.