“Dita Botërore e Bletëve” është një kremtim zyrtar i Kombeve të Bashkuara, që mbahet më 20 maj të çdo viti. Qëllimi kryesor i kësaj dite, është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e bletëve dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha krijesave në Tokë.
Për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi nënkryetarin e Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, Zymber Bajraktari, i cili ndër të tjera theksoi: “Bleta është një faktor kryesor, që luan një rol shumë të madh në diversitetin e natyrës dhe në ushqimin tonë. Ajo ofron gjashtë produkte si: mjaltë, polen, propolis, dyllë, helm dhe qumësht si dhe luan një rol shumë të madh në polenizimin e bimëve. Bleta i mbledh tri produkte në natyrë, si: polenin, nektarin dhe propolisin, kurse qumështin, dyllin dhe helmin e prodhon nga organizmi i saj.”
“Dita Botërore e Bletëve” shënohet me 20 maj, sepse në këtë ditë është ditëlindja e Anton Jansa, një bletar i famshëm nga Sllovenia, i cili njihet si pionier i bletarisë moderne dhe një ekspert i shkëlqyeshëm në bletari.