Misionet paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë luajtur edhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e civilëve, promovimin e të drejtave të njeriut dhe ndihmën për komunitetet e prekura nga luftërat dhe krizat humanitare, ku përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, këto misione vazhdojnë të jenë një simbol i solidaritetit dhe i përpjekjeve globale për një botë më të sigurt.
Për të nderuar burrat dhe gratë që shërbejnë në misione paqeruajtëse në mbarë botën sot, shënohet “Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve”.
Kjo ditë përkujtohet çdo vit më 29 maj dhe synon të vlerësojë sakrificën, përkushtimin dhe guximin e mijëra paqeruajtësve që veprojnë në zona të konfliktit, shpesh në kushte të vështira dhe të rrezikshme. Gjithashtu, kjo ditë shërben për të kujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në emër të paqes.
Në këtë ditë, komuniteti ndërkombëtar riafirmon mbështetjen për paqeruajtësit dhe rëndësinë e dialogut, diplomacisë dhe bashkëpunimit si rrugë drejt paqes së qëndrueshme.







