Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë datave 26, 27 dhe 28 korrik do të ketë bllokim të përkohshëm të autostradave të Kosovës, me kërkesë të Federatës së Çiklizmit të Kosovës. Leja e siguruar nga kjo federatë përfshin tre ditë radhazi në të cilat ditë do të zhvillohet edicioni i 19-të i garës më të madhe të çiklizmit në vendin tonë “Tour de Kosova”.
Këtë vit, për herë të parë, kjo garë është e pranuar ndërkombëtarisht dhe do të organizohet nën ombrellën e Federatës Botërore dhe asaj Evropiane. Fondi total i shpërblimeve do të jetë 5,000 Euro përgjatë 3 etapave e sipas Federatës së Çiklizmit të Kosovës ky kompeticion do të jetë mjaft interesant me rreth 130 çiklistë pjesëmarrës.