Në të premten e fundit të muajit nëntor, miliona njerëz shpenzojnë shuma të larta të parave, duke blerë gjëra të ndryshme në ditën e njohur si ‘Black Friday’ apo ndryshe njihet edhe si dita me përfitimet më të larta nga bizneset në tërë botën. Jo vetëm dyqanet brenda dhe jashtë tyre, por gjatë ‘Black Friday’, edhe rrugët janë të stërmbushura me vetura, të cilat krijojnë trafik të dendur, duke ia mësyrë qendrave të ndryshme tregtare, për të bërë blerje, qoftë elementare apo jo, sepse pikërisht sot (26 nëntor), shumë dyqane ofrojnë zbritje në produktet e tyre.
Termi ‘E Premtja e Zezë’ (Black Friday), është përdorur për herë të parë nga policia e Filadelfias, në vitin 1960, e kjo sepse policia atje ishte irrituar me bllokimin e trafikut të shkaktuar nga blerësit, një ditë pas ‘Ditës se Falënderimeve’. Që nga ajo kohë miliona njerëz në gjithë botën bëjnë ‘blerje të çmendura’, madje duke pritur tërë natën para dyqaneve, për të blerë produkte me çmime të përgjysmuara.
Për shkak të numrit të madh të njerëzve nëpër dyqane, këtë ditë mund ta shfrytëzoni edhe duke realizuar blerje online, meqë tanimë kjo ditë është bërë praktikë edhe në vendin tonë. Në këtë ditë të uljeve të mëdha, duhet të keni kujdes për të mos shpenzuar shuma të larta dhe në produkte që nuk na duhen, vetëm se ato produkte janë në lirim.